Një ceremoni mirëseardhjeje u mbajt sot pas mbërritjes së ekuipazhit të Misionit Axiom 3 në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Ekuipazhi prej shtatë anëtarësh i stacionit takoi astronautët e Ax-3 Michael Lopez-Alegria, Walter Villadei, Marcus Wandt dhe udhëtarin e parë të Turqisë në hapësirë, Alper Gezeravcı.

Misioni u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida në orën 16:49 ET të enjten (2149 GMT) me një raketë Falcon 9 të kompanisë private të eksplorimit të hapësirës SpaceX.

Ekuipazhi, i cili u ankorua në orën 5:42 të mëngjesit me Kohën Standarde Lindore (10:42 GMT), hyri në ISS në orën 07:16 EST. Ekipi prej katër personash do të kryejë më shumë se 30 kërkime shkencore gjatë qëndrimit të tyre 14-ditor.

“Kjo është një kohë tepër emocionuese për fluturimin njerëzor në hapësirë me misionin e tretë privat, i cili po lejon shumë vende të marrin pjesë në kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjisë që ne bëjmë në bordin e këtij laboratori orbital”, tha komandanti i ISS-së Andreas Mogensen në ceremoni.

“Kemi dyfishuar numrin e kombësive në bordin e stacionit hapësinor duke shkuar nga katër në tetë, gjë që mendoj se është një dëshmi e madhe për bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili mbështet këtë stacion të mrekullueshëm hapësinor”, shtoi ai.

Ndërkaq, astrounauti nga Türkiye, Alper Gezeravcı, tha se është i lumtur që përfaqëson vendin e tij dhe mezi pret të kontribuojë në përpjekjet shkencore dhe kërkimore.

Duke folur edhe në gjuhën turke, ai shprehu mirënjohjen e tij për Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e Republikës së Turqisë, dëshmorët, shtetin dhe kombin që i dhanë mundësinë për të hyrë në hapësirë.

Lopez-Alegria, udhëheqësi i Misionit Ax-3, tha: “Ky është me të vërtetë një simbol se si Axiom në bashkëpunim me NASA-n dhe partnerë të tjerë po punon për të zgjeruar aksesin e njeriut në orbitën e ulët të Tokës”.

“Kaq shumë kombësi të përfaqësuara në bord dhe kjo është me të vërtetë simbolike e asaj që ne po përpiqemi të bëjmë për ta hapur atë jo vetëm ndaj kombeve të tjera, por edhe ndaj individëve dhe studiuesve”, shtoi ai.

Piloti Villadei tha se është mahnitëse që gjendet në ISS dhe që sheh se si bashkëpunimi ndërkombëtar ka çuar në krijimin e këtij stacioni.

Anëtari i ekuipazhit Wandt tha se është e mrekullueshme të fluturohet përreth Tokës.