Mbështesim Maqedoninë në përcaktimin që të jetë anëtare fuqiplotë e BE-së, siguron Ambasadori i Spanjës në Shkup, Hoze Luis Lozano Garsija, në intervistën për Radion Evropa e Lirë. Ai nuk përjashton mundësinë që në procesin e negociatave të hapen edhe kërkesa të reja nga vende tjera anëtare, madje edhe nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, nga të cilët varet mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare.

Në vitin 2024 Maqedoninë e presin zgjedhjet, qeveria teknike dhe shpërndarja e parlamentit. Fakt është se nuk ka konsensus për ndryshimin e Kushtetutës.

Por, nëse do të ketë konsensus nga përbërja e ardhshme parlamentare dhe nëse ndryshimet kushtetuese për futjen e Bullgarëve në Preambulë janë garanca se Sofja zyrtare nuk do të vendos kushte tjera, Ambasadori spanjoll në vend, Hoze Garsija, sic percjell KlanM, nuk e përjashton mundësinë që të ketë kërkesa tjera, nga vende tjera anëtare të BE-së.

“Nuk dua të dërgoj mesazhe pesimiste, përkundrazi. Atë që ne e themi, por edhe instancat tjera të BE-së, është se kur jeni në proces, që të thirret Konferenca e dytë Ndërqeveritare, duhet ta përmbushni atë kusht, respektivisht të miratohen ndryshimet kushtetuese. Ndoshta do të ketë kërkesa dhe kushte tjera nga vende tjera, por në fund gjërat do të marrin dimension dhe rëndësi tjetër. A do të jetë kjo pengesa e fundit? Ndoshta do të ketë pengesa tjera” – tha Hoze Garsija, ambasador i Spanjës.

Por, sa janë gjasat që Maqedonia t`i nis negociatat gjatë kryesimit belg me BE-në? Ambasadori spanjoll, sic percjell KlanM, shprehet I qartë se negociatat tashmë janë hapur që në korrik 2022, vendi pati skrining të suksesshëm, por se situata është e qartë – Konferenca e dytë Ndërqeveritare do të mbahet pas miratimit të ndryshimeve kushteteuse.

Por, ai përmend reformat dhe “pikat e dobëta” që largojnë vendin nga BE-ja.

“Me metodologjinë e re klasteri shumë I rëndësishëm është ajo që quhet “themelet” – baza e gjithë procesit. Sundimi i së drejtës, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe në fakt është klasteri I parë që hapet dhe i fundit që mbyllet. Të mos flasim për pika të dobëta, por për përpjekje shtesë që cdo vend duhet t`i bëjë” – tha Hoze Garsija, ambasador i Spanjës.

Kanë mbetur edhe disa ditë nga presidenca spanjolle me BE-në, pas cka funksioni kalon te Belgjika.

Ambasadori Garsija, thotë se mesazhet e Kryeministrit spanjoll, Ministrit të Jashtëm Alvarez, institucionet e Brukselit, janë se Spanja mbështet Maqedoninë  në rrugën e saj drejt BE-së, duke potencuar se edhe vendet kandidate por edhe vendet anëtare të unionit duhet të bëjnë përpjekje për zgjerimin e BE-së.