Ordinancat stomatologjike në periudhën e pandemisë janë të detyruara të punojnë me orar tetë orësh, por të njëjtat do të duhet që të pranojnë vetëm pacientë me raste urgjente. Por, a bëhet fjalë për rast urgjent apo jo, këtë do të duhet që ta vendos stomatologu amë. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga Oda Stomatologjike e Maqedonisë së Veriut.

Nëse të gjithë stomatologët amë obligohen që të punojnë nga ana tjetër duhet të mbyllen të gjitha lëmit e Ortodontisë, protetikës, kirurgjisë orale, kirurgjisë maksillofaciale si dhe të gjitha teknikat dentare në rrjetë.

Stomatologët thonë se janë duke i respektuar të gjitha masat e OBSH-së, si parakusht për mbrojtjen e shëndetit, por përsëri, sipas tyre, puna që bëjnë e vë shëndetin e tyre në rrezik pasi që janë të detyruar të punojnë shumë afër me pacientët.

“Mund të themi se është shumë e rrezikshme të punohet në këtë periudhe kohore, edhe pse ne u përmbahemi rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Është shumë e rrezikshme pasi ne jemi në vijën e parë të stafit mjekësor që i pranojmë pacientët dhe nëpërmjet aerosolit mund të shpërndahet virusi dhe për këtë mund të them se jemi të rrezikuar shumë nga virusi”, tha Valdet Miftari.

Problemi më i madh është në përcaktimin rasteve urgjente nga rastet e zakonshme, për këtë, të gjithë stomatologët bëjnë apel tek qytetarët që të mos paraqiten tek stomatologët amë, nëse nuk kanë dhimbje të mëdha, sepse përndryshe, përveç që do të rrezikojnë veten e tyre, rrezikojnë edhe stafin mjekësor.