ryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani, zhvilloi takime të veçanta me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzojan, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Gjatë takimeve, ai shprehu shqetësimin e tij të thellë për operacionet e sotme ushtarake në rajon, për rrezikun dhe ndikimin në popullatën e prekur civile dhe bëri thirrje për deeskalim urgjent.

“Duhet të mbizotërojnë aspektet humanitare dhe të sigurohen nevojat humanitare të popullatës vendase”, shtoi Osmani.

Kryesuesi theksoi se përdorimi i forcës për zgjidhjen e kontesteve është i papranueshëm dhe se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes palëve është e vetmja rrugë drejt paqes së përhershme.

Gjithashtu përsëriti gatishmërinë e tij për angazhimin personal dhe aktiv dhe tha se OSBE-ja si organizatë është e gatshme që t’i ndihmojë Armenisë dhe Azerbajxhanit në rrugën drejt paqes.

“OSBE-ja ka përvojën, ekspertizën dhe mjetet e nevojshme për lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e besimit, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve relevante,” u shpreh Osmani.