Sipas të dhënave nga Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dalja në votim në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni deri në ora 17:00 është 44,18 për qind. Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga mbi 97 për qind të të dhënave të përpunuar të drejtën e votës deri në ora 17:00 e kanë shfrytëzuar 747.059 qytetarë nga gjithsej 1.814.317 votues të regjistruar.

Në një konferencë për media, kreu i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, njoftoi se pjesëmarrja më e madhe është regjistruar në Novaci, respektivisht me një pjesëmarrje prej 67,19 për qind, ndërsa pjesëmarrja më e vogël është regjistruar në Pllasnicë me një pjesëmarrje prej 15,5 për qind. Dashtevski po ashtu theksoi se “deri më tani në të gjitha vendvotimet procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë”.

Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, deri në orën 17:00 në këto zgjedhje ka një pjesëmarrje më të madhe me rreth 9 për qind. Votimi mbyllet në orën 19:00, ndërsa konferenca e radhës për media e KSHZ-së është paralajmëruar në orën 19:30.

Sipas rregullores, fituesi shpallet në raundin e parë të votimit vetëm nëse njëri prej kandidatëve ka fituar më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar. Nëse në raundin e parë të votimit nuk shpallet fitues, raundi i dytë është planifikuar të mbahet më 8 maj, ditën kur janë shpallur edhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoni.