Sot në vend mbahen zgjedhjet e shtatë presidenciale. Qytetarët do të mund të votojnë për njërin nga shtatë kandidatët: Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Stevço Jakimovski nga GROM, Biljana Vankovska e mbështetur nga e majta, Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga koalicioni VLEN dhe Maxim Dimitrievski nga E DI.

Në 3.480 qendra votimi në Republikë me të drejtë vote, në Listën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar gjithsej 1.814.317 zgjedhës. Dje në 31 vendvotime kanë votuar njerëzit tanë në diasporë, të burgosur e të sëmurë e të pafuqishëm.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00. Pas mbylljes së qendrave të votimit do të mund të votojnë vetëm personat që ndodheshin në godinën ku po votohet në atë moment.

Këto zgjedhje karakterizohen nga fakti se për herë të parë që nga pavarësia kemi kaq shumë kandidatë për president, zgjedhjet mbahen të mërkurën dhe identifikimi do të bëhet me aparate për shenja gishtash. Është gjithashtu unike që fushata dhe heshtja për zgjedhjet presidenciale u mbivendos me fushatën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Zgjedhjet presidenciale, sipas KSHZ-së, do t’i monitorojnë gjithsej 1601 vëzhgues, prej të cilëve 915 vendorë dhe 544 ndërkombëtarë, si dhe 84 përkthyes dhe 58 gazetarë të huaj.

Pas numërimit të votave, këshillat zgjedhorë janë të obliguar që në afat prej pesë orëve pas përfundimit të votimit t’ia dorëzojnë procesverbalin dhe materialin tjetër zgjedhor organeve komunale zgjedhore. Më pas KKZ-ja kompetente i përmbledh rezultatet e votimit, e përpilon procesverbalin dhe ia dorëzon KSHZ-së.

KSHZ-ja i publikon rezultatet fillestare të votimit të pranuara në mënyrë elektronike në mënyrë të njëpasnjëshme dhe rezultatet e procesverbalit nga KKZ-ja brenda 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve. KSHZ-ja i shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve brenda 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre.

Çdo parashtrues i listës së kandidatëve në procedurën e votimit, përmbledhjes dhe përcaktimit të rezultateve të votimit mund të paraqesë kundërshtim në KSHZ në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimit, përkatësisht publikimit të rezultateve fillestare. KSHZ-ja është e obliguar të vendosë për kundërshtimin në afat prej 48 orëve pas pranimit të tij.

Kundër vendimit të KSHZ-së mund të bëhet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, në anën tjetër, është e obliguar të vendosë për ankesën në afat prej 48 orëve pas pranimit të saj.

Çdo votues të cilit i është shkelur e drejta e votës gjatë procesit të votimit, mund të paraqesë kundërshtim në KSHZ brenda 24 orëve. KSHZ-ja është e obliguar të marrë vendim brenda katër orëve nga pranimi.

Kundër vendimit të KSHZ-së, votuesi mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë në afat prej 24 orëve nga pranimi i tij, e cila, nga ana tjetër, është e obliguar të vendosë për ankesën në afat prej 48 orëve nga pranimi i saj.

KSHZ-ja, sipas detyrës zyrtare ose pas kundërshtimit të paraqitur, me vendim mund ta anulojë votimin në vendvotim në raste të caktuara të përcaktuara me Kodin zgjedhor.

Kundër vendimit për anulimin e votimit mund të parashtrohet ankesë në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata administrative është e detyruar të veprojë për ankimin brenda 72 orëve nga marrja e saj. Rivotimi në qendrën e votimit ku është anuluar bëhet 14 ditë pas ditës së votimit të parë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale duhet të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet për deputetë.

Që nga pavarësia e vendit, pesë presidentë janë ulur në karrigen presidenciale. Presidenti i parë Kiro Gligorov dhe Gjorge Ivanov e mbajtën postin e presidentit për dy mandate, ndërsa Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe presidenti aktual dhe kandidat për mandatin e ri, Stevo Pendarovski, nga një mandat.