Nëse dëshirojmë të kemi fëmijë të shëndetshëm, këshillat nga mjekët dhe specialistët janë që t’i angazhojmë ata me aktivitete të ndryshime fizike. Ata shprehen që fëmijët të rriten shëndetshëm, është e rëndësishme që të jenë fizikisht aktiv çdo ditë. Gjithashtu, angazhimi me aktivitet fizik, përveçqë luan një rol të rëndësishëm në shëndetin fizik, ai ndikon edhe në shëndetin mendor të fëmijëve. Për këtë arsye, si dhe për shumë arsye të tjera – edukimi fizik përfshihet në planin mësimor që nga klasa e parë. Pa asnjë dyshim që kjo lëndë është njëra ndër lëndët më të preferuara nga nxënësit.

Këshillat e ekspertëve dhe profesionistëve deri te prindërit është që t’i nxisin fëmijët e tyre që të jenë aktiv dhe të merren me ndonjë sport. Ata thonë se aktiviteti fizik është më se i nevojshëm për shëndetin e njeriut e posaçërisht te fëmijët. Sipas tyre, për t’i ndihmuar fëmijët që të zhvillojnë zakone, të cilat do të zgjasin përjetësisht, një jetesë aktive dhe e shëndetshme duhet të filloj herët në jetë.

Arsimtari i edukatës fizike, Mervan Fetahu, deklaroi për gazetën Koha se ajo që po pasivizon fëmijët, nuk është vetëm virusi korona para katër vitesh sa po ndikon tani edhe teknologjia. Thënë troç, përdorimi i tepërt i telefonave celularë, ku varësia sa vjen e rritet çdo vit dhe kjo, sipas Fetahut, rrezikon shëndetin jo vetëm fizik, por edhe mendor.

“Një trup i shëndoshë është një mendje e shëndoshë. Sa i përket aktiviteteve fizike në shkolla, euforia e fëmijëve është konstant ndër vite, pavarësisht se lënda edukata fizike tre herë në javë mendoj që është pak, sepse për fëmijët – është e nevojshme çdo ditë nga një orë aktivitet fizik. Megjithatë, shqetësuese është varësia e moshave të mitur nga 0-6 vjeç ku që nga lindja prindërit e shoqërojnë me një celular gjatë gjithë kohës, gjë që e pasivizon fëmijën ndaj aktiviteteve fizike dhe të pasigurt ndaj botës së jashtme”, tha Fetahu.

Ai shtoi se gjatë periudhës së dimrit është shumë e rëndësishme që fëmijët të mos izolohen në shtëpi, por të paktën prindërit t’i nxjerrin nga një orë jashtë, sepse i ftohti vetëm se do i bëj më imun dhe do i largoj nga bota e teknologjisë.

Ndryshe, për fëmijët dhe adoleshentët e moshave nga 5 deri 17 vjeç rekomandohen 60 minuta aktivitet fizik për pesë ditët e javës. Gjithashtu, të paktën në dy ditë të javës, fëmijët duhet të kryejnë aktivitete që forcojnë shëndetin e kockave, forcën dhe fleksibilitetin e muskujve. Aktiviteti fizik mund të kryhet në një sesion të vetëm ose në sesione prej 10 minutash për secilin ushtrim. Aktivitetet ditore fizike mund të përfshijnë lojën e lire, lojëra të ndryshme, sporte, transportim (të ecurit, ngasja e biçikletës), rekreacion dhe noti.