Arben Taravari , kandidati për president të Maqedonisë nga koalicioni opozitar VLEN, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

“Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje, mendoj se kështu duhet të jetë. Kështu është në të gjithë botën perëndimore, kështu është në të gjitha demokracitë e zhvilluara. Nëse humbisni zgjedhjet, të paktën para autoriteteve partiake… edhe pse pati zhvillime të caktuara në vendin tonë, nuk më lejuan bashkëpartiakët të kaloja të paktën një zgjedhje. Dhe unë u thashë, kërkoj besim nga të gjithë ju. Nja dy cikle zgjedhore deri në 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqjen, dhe nuk do të kishte asnjë forcë që të më ndalonte të jepja dorëheqjen nëse edhe të bashkuar nuk do të fitonim. Dhe kështu do të fitojmë”, tha Taravari.