Nga Anna Zafesova “La Stampa”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në dallim nga thënia e vjetër se “fitorja ka gjithmonë shumë baballarë”, Vladimir Putin nuk dëshiron që t’i ndajë me askënd meritat e tij. Kur bosi i Kremlinit nis të delegojë dhe shpërndajë përgjegjësi, kjo është thuajse gjithmonë shenjë e një situate që ai e konsideron të pakëndshme, dhe nga e cila ai dëshiron të distancohet derisa të bëhet gati i padukshëm.

Kur gjenerali Sergey Surovikin u shfaq disa ditë më parë në ekranet televizive ruse, për të shpjeguar arsyet dhe perspektivat e “operacionit special ushtarak” rus në Ukrainë, shumë analistë mbi Rusinë, nisën të dyshonin se po shikonin fytyrën e gurtë të Bonapartit të ardhshëm rus, ndoshta edhe “delfinit” të vërtetë të Putinit, i destinuar të shpërblehet në rastin e një lufte të suksesshme në front.

Tanimë që presidenti rus ka shpallur një lloj mobilizimi të strukturave shtetërore ruse, duke krijuar dy super-organe qeveritarë që do të merren direkt me luftën – Komiteti Koordinues i kryesuar nga kryeministri Mikhail Mishustin dhe Komisioni i Këshillit të Shtetit për të koordinuar guvernatorët e rajoneve të kryesuara që do të drejtohet nga kryetari i bashkisë së Moskës Sergej Sobyanin – duket se po shfaqet hipoteza e kundërt.

Duket se shumë shpejt do të shpallen “vendime të vështira” nga Surovikin, dhe Putin do të donte që ta ndante sa më shumë që të jetë e mundur me vartësit e tij barrën e luftës që nuk po shkon aspak si duhet për Moskën.

“Vertikalja e pushtetit”, e ndërtuar me aq shumë këmbëngulje për më shumë se 23 vjet sundim autokratik, është shndërruar në një “horizontale” që synon të përballojë goditjen e katastrofës së dyfishtë, atë ushtarake në front dhe atë politike për shkak të thirrjes nën armë të rusëve, duke e shpërndarë pakënaqësinë nga qendra e sistemit.

Diçka e ngjashme ndodhi gjatë pandemisë së Covid-19, kur padroni i Kremlinit – pasi u përpoq deri në fund të injoronte peshën e emergjencës, e cila pengoi planet e tij për mbajtjen e një “referendumin” për mandatet e tij të rinj në krye të vendit – ia delegoi drejtuesve lokalë ta rajoneve vendimet e forta dhe të pakëndshme për bllokimet, mbi ndihmën për familjet dhe bizneset.

Dhe kjo pas reduktimit të ndjeshëm të autonomisë lokale për dy dekada me radhë. Tani po thuhet se “operacioni special ushtarak” ka përfunduar. Më në fund Moska e pranon se është një luftë, e cila pas mobilizimit me të paktën 300.000 rekrutët tashmë në proces regjistrimi, dhe 1 milion burrave të tjerë që u është ndaluar udhëtimi jashtë, në pritje për t’u shndërruar në mish për top në frontin ukrainas, nuk është më një shfaqje televizive, por një realitet që i prek të gjithë.

Madje edhe ato struktura shtetërore, që deri më sot ishin përpjekur të vazhdonin punën sikur të mos ketë ndodhur asgjë, duke e injoruar luftën me një lloj indiferentizëmi, që në kohët e një nacionalizmit të shfrenuar në Rusi, u shndërrua në thuajse një shfaqje të hapur të kundërshtimit ndaj saj.

Tani kryeministri dhe kryebashkiaku i Moskës – dy pesha të rënda në politikën federale, edhe pse jo shumë popullore tek elektorati rus – nuk do të kenë më mundësi të shfaqen në publik si “fytyra e mirë” e regjimit. Rusia është në luftë.

Dhe madje edhe në rajonet ku nuk është shpallur ligji ushtarak, rrezikojnë tani t’i nënshtrohen masave emergjente si kufizimet e lirisë së lëvizjes, në një kohë që ekonomia është “mobilizuar” për nevojat e ushtrisë si në epokën e Bashkimit Sovjetik.

Një axhendë, të cilën fraksioni që nxiti luftën kishte filluar ta promovonte që pas suksesit të kundërofensivës ukrainase në Kharkiv, dhe që vazhdon të zbatohet pikë për pikë nga Putini. Por paradoksalisht, vetë ata që janë më radikalë në rrethin e brendshëm të Putin, mund të jenë të pakënaqur me rezultatin.

Mishustin dhe Sobyanin janë “teknicienë”, që u pëlqejnë të moderuarit si vetja. Dhe hyrja e tyre në fushën e lojës, mund të krijojë konkurrentë të rinj në garën për pasardhësin e Putinit, që tanimë është duke u zhvilluar në Moskë.

Një sinjal tjetër i grindjeve të brendshme që po ndodhin aktualisht në Kremlinit, ishte ndërprerja e transmetimit televiziv të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit rus, sapo presidenti ia kaloi fjalën Dmitry Medvedev, ish-kryeministrit rus relativisht të moderuar, që muajt e fundit është rishfaqur muajt e fundit në publik si zëdhënës i segmenteve më radikale që mbështet luftën në Ukrainë.

Në vend të kësaj, një hapësirë e madhe mediatike iu dha Nikolay Patrushev, ish-kreut të FSB-së, që konsiderohet tani nga disa analistë moskovitë si relativisht realist (ose të paktën kështu dëshiron të duket, gjithsesi një sinjal interesant), dhe që foli për shtrëngimin e politikave të migracionit, ndoshta si një dhuratë e mëtejshme për nacionalistët apo me gjasë si një kërcënim i fshehur për ukrainasit që jetojnë në Rusi.

Autonomia e re e guvernatorëve, të cilët duhet të vendosin se cilat masa urgjente të zbatojnë në rajonet e tyre, është gjithashtu një thikë me dy presa. Nga njëra anë, është një shpërblim (autoritetet lokale në zonat ku është vendosur ligji ushtarak mund të sekuestrojnë asetet sipas gjykimit të tyre për nevoja ushtarake), që supozohet t’i stimulojë ata të shtypin protestat lokale.

Nga ana tjetër nënkupton dhënien e një pushteti më të madh civilëve, duke prishur kësisoj ekuilibrin e një sistemi të dominuar nga ushtria, policia dhe shërbimet sekrete. Ligji ushtarak ka zhdukur edhe grimcat e fundit të demokracisë në Rusi, duke ndalur demonstratat, grevat dhe protestat, si dhe duke ligjëruar censurën, arrestimet, dëbimet dhe rrëmbimet.

Por ai është një pranimi zyrtar ai asaj që ishte tashmë de fakto një diktaturë ushtarake. Por tani që të mbijetojë, Putini duhet t’u ofrojë stimuj rusëve. Nëse jo qytetarëve të dërguar në llogore, të paktën për nomenklaturën e tij, që nuk do ta pëlqejë fajësimin kolektiv për luftën e dështuar të Putinit. /abcnews.al