Ligji i propozuar për amnisti është miratuar në Qeveri dhe është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të jetë në rend dite të seancës plenare të enjten, ka konfirmuar zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska

“E kam thënë shumë herë që ka edhe masa të tjera alternative, se jodomosdoshmërisht duhet të lirohen me ligjin e amnistisë, mund të jetë edhe lirimi me kusht, dhe pastaj mendoj se burgjet do të ulen shumë e shumë më tepër, pasi edhe analiza e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve kanë treguar se bëhet fjalë për një numër shumë më të vogël të të burgosurve që do të largoheshin nga burgjet me këtë propozim ligj”, tha Avramovska sot në Ohër para fillimit të punëtorisë për digjitalizimin e gjyqësorit.

Lidhur me insistimin e kreut të Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e këtij ligji, Avramovska sqaron se Ligji për amnisti është propozuar nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë që të mund të zvogëlohet numri i të dënuarve në institucionet penale, që aktualisht është mjaft i madh. Duke vepruar kështu, ajo thekson se e vetmja gjë që është komentuar në opinion është se kur të miratohet ai ligj, disa raste që janë me interes publik mund të shkaktojnë pakënaqësi. Paralajmëroi se grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë amendament.

“Nuk është mirë që ata të dënuarit të dalin jashtë. Prandaj është diskutuar me grupin tonë parlamentar që mund të propozohet një amendament që do të pengonte daljen, sepse bëhet fjalë për çështje që janë me interes publik, pasi opinioni u përmend për “Monstrën”, ndërsa nga grupi ynë parlamentar nuk do të lejohet. Pra do të paraqitet një amendament“, tha Avramovska.

Ministria e Drejtësisë propozon të lirohen nga burgu të dënuarit për krime të lehta me burg deri në 6 muaj. Për ata që janë dënuar mbi 6 muaj, propozohet ulje e dënimit me burg me 30 për qind.

Sipas projektligjit të njoftuar për amnisti, ulja e dënimeve me burg nuk do të përfshijë të dënuarit me burgim të përjetshëm, si dhe për krimet e vrasjes, mashtrimit në zgjedhje dhe votimit, ryshfet dhe korrupsion, përdhunim dhe dhunë në familje, shpërdorim detyre apo mashtrim me para nga fondet evropiane.

Amnistia nuk do të zbatohet për të dënuarit për shpërdorim detyre. Për të dënuarit dhe të akuzuarit për shpërdorim detyre, ulje dënimi me burg parashikon një ligj tjetër, pra me ndryshimet në kodin penal, të cilat u kritikuan nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën se si janë adoptuar.

Aktualisht në vend janë 2.345 të dënuar, prej të cilëve 250 janë dënuar me burgim deri në 6 muaj, që do të thotë se nëse ligji miratohet do të lirohen.

Një ligj për amnisti është miratuar edhe pesë vite më parë, në fillim të vitit 2018. Pastaj ka pasur një debat më të madh publik – nëse dënimi i autorëve të krimeve duhet të falet në emër të mungesës së hapësirës apo risocializimit më të mirë.