Deputetët i miratuan sot pasdite ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të mundësojnë votim në zgjedhjet e ardhshme me dokumente personale të cilave u ka skaduar vlefshmëria. Gjithsej 84 deputetë dhanë mbështetjen e tyre. Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor u  miratuar pa diskutim, me procedurë të shkurtuar. Deputeti Martin Kostovski, sqaroi se qëllimi është të përmirësohet kuadri ligjor ekzistues dhe të përshtatet dispozitat e zgjidhjes ekzistuese ligjore në drejtim të një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Po ashtu me këto ndryshime përmirësohen dispozitat në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve për të siguruar që të gjithë votuesit me të drejtë vote të regjistrohen në listat zgjedhore, duke hequr kufizimet në bazë të dokumenteve të identifikimit të skaduar, si dhe duke sqaruar procedurat për përfshirjen në listat zgjedhore për personat që do të mbushin 18 vjeç mes dy raundeve zgjedhore.

Dispozita kalimtare e ligjit rregullon të drejtën e zgjedhësve që të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në afatin prej nëntë muajsh deri në ditën e zgjedhjeve. Ky rregull do të zbatohet vetëm për këto zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.

Po ashtu, janë rirregulluar dhe saktësuar dispozitat për financimin e zgjedhjeve dhe paraqitjen dhe publikimin e raporteve për donacionet e pranuara në llogarinë e mirëbesimit të fushatës zgjedhore.

Ndryshimet e Kodit zgjedhor u propozuan me nënshkrimet e deputetit të LSDM-së Martin Kostovski, Arbër Ademi i BDI-së dhe Nikolla Micevski i VMRO-DPMNE-së.

Problemi u bë aktual pasi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, kohëve të fundit disa herë theksoi se mbi 100.000 qytetarë nuk do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhje për shkak se nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm.