Një vit e tetë muaj burg për pronarin e “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, si dhe gjobë në të holla në vlerë prej 800 mijë denarëve, por edhe ndalesë katërvjeçare për kryerjen e transportit ndërkombëtar, është epilogu nga gjykimi për aksidentin tragjik në Bullgari, që u gjykua në bazë të veprës penale “falsifikim i dokumenteve”.

Gjykatësi Ivica Stefanovski, i cili e shpalli aktvendimin në Gjykatën Penale, tha se të akuzuarit Bekim Haxhiu dhe kompania “Besa Trans”, janë fajtorë për shkak se i akuzuari, si menaxher i kompanisë “Besa Trans”, disa herë ka shfrytëzuar dokument të rrejshëm, certifikatë nga licenca për kryerje të transportit publik në destinacione ndërkombëtare, e e cila fare nuk ishte dhënë nga Ministria për Transport dhe Lidhje për atë autobus.