Në qytetin e alfabetit shqip është hapur për herën e parë një bibliotekë e parë shqipe. Me iniciativën e studentes Emira Selimi dhe donacionet e shumta, të martën është inauguruar biblioteka në këtë qytet.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në rrjete sociale.

Ceremonia e hapjes u përcoll edhe nga udhëheqës politikë. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se ruajtja e gjuhës s’është thjesht thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Selimi vitin e shkuar publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip. Të menjëhershme ishin donacionet dhe Selimi mori mbështetje të madhe.