Ka përfunduar ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila u luajt ditën e sotme në stadiumin “Air Albania”. Shqipëria barazoi pa gola ndaj Serbisë, në duelin e vlefshëm për kualifikueset e Botërorit.
Pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, kuqezinjtë nuk ia dolën dot të marrin tre pikët.
Mundësinë më të mirë e kishte Rey Manaj në fundin e pjesës së parë, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, pas 11 metërshit të fituar nga Hysaj.
Rastet e tjera nuk munguan, me Brojën dhe Bajramin që gjithashtu iu afruan avantazhit, por gabuan në metrat e fundit. Ky është barazimi i parë për Shqipërinë në Grupin K, pas një fitoreje dhe një humbje në dy ndeshjet e para.
Pas tre ndeshjeve, kuqezinjtë e mbajnë vendin e dytë me katër pikë, pesë më pak se Anglia kryesuese. Për serbët kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese dhe renditen në vendin e katërt me një pikë.
Sfida e radhës për Shqipërinë është në transfertë ndaj Letonisë.
Comments are closed for this post.