Gjatë një vizite të sotme në Zajeçar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se pas përfundimit të përgatitjeve për Expo, do të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Ai shprehu besimin e fortë se partia e tij, SNS, do të fitojë me një diferencë të madhe, duke kritikuar opozitën për një ‘gabim të madh’ që sipas tij ka dobësuar shanset e saj.

“Ne duhet të përgatitemi për Expo. Kur të përfundojmë përgatitjet për Expo, ne do të thërrasim zgjedhje të parakohshme, dhe kam frikë se ata (opozita) bënë një gabim të madh dhe se, pikërisht kur mendova se shanset ishin të barabarta, ato nuk janë më. Ne do t’i mposhtim bindshëm,” tha Vuçiç, raporton KosovaPress.

Këto paralajmërime për zgjedhje të parakohshme vijnë në një periudhë të tensionuar në Serbi, ku bllokadat dhe protestat gjashtëmujore kanë zgjuar shqetësim të madh, sidomos pas tragjedisë së rëndë në Novi Sad, ku shembja e një tende hekurudhore shkaktoi vdekjen e 16 personave.