Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova, është takuar me përfaqësues të komunitetit maqedonas në Shqipëri, ku ka premtuar ndër të tjera të adresojë gjithë shqetësimet e tyre në lidhje me jetesën në vend dhe me censin në Shqipëri.

Ajo u informua po ashtu për situatën e tyre dhe qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj tyre, në nivel shtetëror dhe vendor, si dhe për iniciativat dhe aktivitetet e planifikuara për forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor.

Presidentja maqedonase premtoi se Maqedonia do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të përmirësuar të drejtat e tyre dhe për të forcuar lidhjet me atdheun.

Në takim morën pjesë: Marjana Kostofski-Fellah, përfaqësuese e Pakicës Kombëtare Maqedonase dhe anëtare e Komitetit për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Shqipërisë; Endrit Fetahu, nënkryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian – partia e vetme e maqedonasve në Shqipëri; Nezir Meça, nënkryetar i Shoqatës Maqedonase “Ilinden” Tiranë, Slavica Sviderska, profesoreshë e gjuhës maqedonase në Lektoratin e Gjuhës Maqedonase në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe diplomatë të Ambasadës Maqedonase në këtë vend.

Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësinë e saj që pati mundësinë të dëgjonte përfaqësuesit përkatës drejtpërdrejt dhe të diskutonte me ta vendimin e autoriteteve shqiptare për të përcaktuar kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare, gjë që vlen edhe për maqedonasit në Shqipëri.

Duke theksuar se vendimi përcakton kritere që do t’i mundësojnë të gjithëve të shprehin lirisht përkatësinë e tyre kombëtare dhe gjuhën që flasin, ajo tha se janë pikërisht anëtarët e pakicës kombëtare maqedonase që preken nga kjo procedurë.

Kur u pyet nëse, si presidente, do të fillonte dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e kërkesave të tyre, ajo tha se nuk do të ishte aty nëse nuk do të kishte ardhur me një qëllim të vendosur, jo vetëm për t’i dëgjuar, por edhe për t’ua përcjellë problemet e tyre autoriteteve.

“Kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë, kemi mirëkuptim dhe brenda kuadrit të këtij mirëkuptimi, duhet të vazhdojmë aty ku dikush u ndal dhe bëri një gabim, kur duhet të kishte qenë edhe më aktiv. Ne jemi të detyruar të ndihmojmë këtu”, përmbylli ajo.