Portieri i Manchester Cityt, Ederson, ka thënë se ai është gjuajtësi më i mirë i penalltive në skuadër, por asnjëherë nuk zgjidhet për të goditur nga pika e bardhë.
City ka pasur telashe të shënojë nga penalltia gjatë viteve të fundit, me gjuajtësin e zakonshëm Kevin De Bruyne që e humbi penalltinë në barazimin 1-1 me Liverpoolin në fillim të këtij muaji.
Ederson njihet për aftësitë e mira të lojës me këmbë, por tregoi se trajneri Pep Guardiola asnjëherë nuk i ka kërkuar ta marrë përsipër gjuajtjen e penalltive.
“Unë nuk i ushtroj gjuajtjet e lira, por i ushtroj penalltitë”, tha Ederson në një konferencë për media para ndeshjes së City me Porton në Ligën e Kampionëve.
“Kam luajtur për Rio (Ave), i kam gjuajtur disa goditje të lira atje. Kjo është në të kaluarën dhe tani ne kemi disa gjuajtës shumë të mirë të tyre këtu në City. Sa i përket penalltive, jam gjuajtësi më i mirë i tyre, por nuk më zgjedhin t’i gjuaj unë”, tregoi ai.
Comments are closed for this post.