Situata aktuale një ditë pas ballafaqimit të Policisë së Kosovës me një grup prej 30 personash të armatosur rëndë në Banjskë të Zveçanit është e qetë, raporton Anadolu.

Pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe në veriun e vendit.

Në hyrje të këtij fshati policia ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera policore në kryqëzimin e Ballabanit që të dërgon për në fshatin Banjskë, ku një ditë më herët mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, pas sulmit që grupi prej rreth 30 personash kreu në drejtim të njësitit policor.

Edhe pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Aksioni i Policisë së Kosovës për grumbullimin e fakteve rreth personave që sulmuan policinë dhe konfiskimi i mjeteve të tyre po vazhdon ende.

Së fundmi nga autoritetet policore u konfirmua se është gjetur edhe trupi i pajetë i personit të katërt, i cili ishte pjesë e grupit që sulmuan policinë, ndërsa nuk u përjashtua mundësia se mund të ketë edhe të tjerë të vdekur nga ky grup.

Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-ja kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Autoritetet kosovare e kanë bërë përgjegjës presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmet e këtij grupi ndaj njësiteve policore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga dita e djeshme asgjë nuk mund të jetë më njësoj, ngase faktet dolën në shesh. Kurti shtoi se ngjarjet e djeshme ndodhën “në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe në sytë e secilit që ka kurajë dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”.

Ballafaqimi i armatosur i policisë me grupin terrorist erdhi dy javë pasi kryeministri Kurti u takua në Bruksel me presidentin Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së. Nga ky takim i 15 shtatorit nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Situata në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar që nga fundi i muajit maj të këtij viti kur banorët e komunave me shumicë serbe protestuan për të kundërshtuar emërimin e kryetarëve të ri shqiptarë, të zgjedhur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të cilat serbët i bojkotuan.