Universiteti i Lundit ka njoftuar se gati 1 milion gra bëjnë mamografinë çdo vit në Suedi. Pamjet me rreze iks të gjirit zakonisht analizohen nga dy radiologë që punojnë në gjetjen e mundshme të kancerit – kjo procedurë njihet si “leximi i dyfishtë”. Është punë e lodhshme dhe merr kohë. Mesatarisht, një radiolog mund të lexojë 50 skanime brenda një ore.

Por a mund ta lehtësojë këtë ngarkesë teknologjia?

Hulumtuesit në jug të Suedisë po vlerësojnë efektin e inteligjencës artificiale të përkrahur nga skanimet.

Hulumtuesja Kristina Lang thotë se në universitet është duke u testuar inteligjenca artificiale dhe sqaron detyrën që ka inteligjenca në testimet mjekësore

“Së pari leximet i bëjmë pa Inteligjencën Artificiale, pastaj përdorim avantazhin tonë që është shikimi i krejt pamjes, i krahasojmë me imazhet e mëparshme, shohim kontekstin klinik dhe çfarë bëjmë zakonisht. Pas leximit, e përdorim pajisjen me inteligjencë artificiale dhe mund të shohim shenjat në këto imazhe”.

Në testimin, në të cilin janë përfshirë 80 mijë gra, hulumtuesit kanë përdorur softuerin e inteligjencës artificiale në skanimet e gjirit për identifikimin e kancerit me rrezik të lartë. Këto skanime pastaj janë kontrolluar dy herë nga radiologët.

Pjesa e mbetur e skanimeve, që janë klasifikuar me “rrezik të ulët”, janë lexuar nga një radiolog.

Doktorët kanë përdorur inteligjencën artificiale si një lloj detektori, i cili ka gjetur vetëm shenjat e dyshimta.

“Pasi shohim skanimet, e vendosim inteligjencën artificiale, pra shtypim pullën dhe mund të shohim këtu se inteligjenca ka shënjuar ato që ka gjetur në pamje dhe na jep rezultatin, 81 është rezultat i lartë dhe pas vlerësimeve, kemi gjetur kancer invaziv pesëmilimetërsh. Por mendoj se kjo ilustron mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale në leximin e skanimeve”.

Hulumtuesit suedezë thonë se hapi i ardhshëm është që të hetohet se çfarë lloje të kancerit janë vërejtur me dhe pa përkrahjen e inteligjencës artificiale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se në vitin 2020, 2.3 milionë gra janë diagnostikuar me kancerin e gjirit ndërkaq janë regjistruar 685 mijë vdekje nga ky kancer.