Vdekja e 14 qytetarëve është arsye morale për dorëheqje të parevokueshme nga ministrat e BDI-së. Kështu thuhet në reagimin e Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit. Pas raportimit të IRL për shkeljet në procedurat hetimore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku u dogjën për së gjalli 14 qytetarë, nga partia e Mexhitit thonë se askush nuk ka marrë dënim të merituar.

“Nuk u dënua askush, sepse shteti është kapur nga ata që nuk kanë asnjë grimcë ndërgjegje, sepse shteti është kapur nga të paprekshmit, të cilët edhe drejtësinë e trajtojnë si pronë të tyre dhe dënohen vetëm ata që janë pa “muskuj”. Komprometimi i gjyqësorit tashmë është vërtetuar edhe përmes anketave të ndryshme, por edhe përmes reagimeve të ndërkombëtarëve. Tashmë edhe zogjtë e malit e dinë se kush mund të dënohet e kush jo. Është e madhe përgjegjësia e atyre që kontrollojnë pushtetin dhe është e çuditshme se si akoma bëjnë gjumë të rehatshëm pas asaj tragjedie të kobshme në spitalin modular të Tetovës”, thuhet në reagim.

IRL, sipas LD-së, e bëri të ditur atë që e heshtën organet e drejtësisë, gjë që e bën tragjike-komike farsën e Gjykatës së Tetovës, e cila, sipas kësaj partie, pas disa seancave, mezi “mblodhi” forcë për t’i “shqiptuar” dënimet me kusht.

“Është e qartë se përse u minimizua përgjegjësia e një katastrofe që brenda pak minutave ua mori jetën 14 pacientëve. Dorëheqja është një akt që ndërlidhet me përgjegjësinë morale. Pra është diçka që tregon për pjekurinë dhe seriozitetin e çdo individi që pajtohet të merr drejtimin e një organi shtetëror. E sa u takon dorëheqjeve të kushtëzuara nga minstrate BDI që i bënë për teatër, kjo ngjarje që mori jetën e 14 qytetarëve është arsye e vërtetë për dorëheqje të parevokushme, për përgjegjësinë që duhet ta mbajnë ministrat para gjithë opinionit, që të dëshmojnë minimumin e moralit në politikë”, thuhet më tej në reagim. Papërgjegjësia është bërë karakteristikë e partisë shqiptare në pushtet, konstatojnë nga Lëvizja Demokratike.