Ekipet e Inspektoratit të Tregut kanë konstatuar disa parregullsi gjatë kontrolleve në tregje tek shitësit me pakicë dhe mund të ketë dënime si mbyllja e tregjeve, tha sot në Prilep zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski.
Në terren ndodhen rreth 50 ekipe të Inspektoratit të Tregut. Po kontrollohen tregjet, farmacitë, dyqanet e duhanit, kudo ku kryhen shitjet me pakicë. U gjetën disa parregullsi. Ka parregullsi në etiketimin e produkteve me zbritje, në përcaktimin e marzheve, çmimeve, në evidencën kontabël… Javën e ardhshme do të shqiptohen gjoba për më të padisiplinuarit dhe nuk përjashtohet mbyllja e disa tregjeve, që është një nga masat e fundit në Ligjin për tregti – theksoi Risteski.

Javën e ardhshme Inspektorati do të kontrollojë të gjithë distributorët dhe importuesit kryesorë në vend. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës po punon për mbledhjen e provave për shpalljen e të ashtuquajturës “shoqatë kartele”.
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës është duke e kryer punën e vet në mënyrë profesionale dhe nëse përcaktojnë një shoqatë të tillë do të ketë dënime të parapara me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve – tha Risteski.
Risteski pret që masat e qeverisë të japin rezultate.
Janë marrë masat dhe vendimet për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve. Masat mbulojnë 102 grupe produktesh ose rreth 1200 produkte. Tregtarët duhet të mësohen të jenë të disiplinuar, të respektojnë masat e destinuara për qytetarët. Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës dhe si Inspeksion Shtetëror i Tregut, kudo që konstatojmë mospërputhje në vendimet që cenojnë të drejtat e qytetarëve, do të dënohen në mënyrë rigoroze – theksoi Risteski.
Comments are closed for this post.