Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, i dërgoi një letër këtë të diel homologut të tij të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke i kërkuar që përfaqësuesja e tij të respektojë marrëveshjen e Prespës, për ndryshimin e emrit të kësaj ish-republike jugosllave.
Në letër, Dendias theksoi se për të zbatuar plotësisht marrëveshjen, e cila u dha fund mosmarrëveshjeve çerekshekullore midis Athinës dhe Shkupit, ekipi i Maqedonisë së Veriut nuk mund të luajë në Kampionatin Evropian me shkurtesën “MKD”, pasi duhet të përdorë një tjetër që korrespondon me emrin zyrtar si “NM” (Maqedonia e Veriut) ose “RNM” (Republika e Maqedonisë së Veriut).
Përveç kësaj, ministri kërkoi ndërhyrjen e Osmanit në mënyrë që emri i federatës së futbollit të ndryshohet zyrtarisht dhe të përfshihet përfundimisht emri i ri kushtetues i vendit ballkanik, i cili këtë pasdite do të luajë ndeshjen e parë në historinë e saj në një fazë finale të Europianit.
Ndërkohë, ministri grek i Sporteve, Lefteris Avgenakis, i dërgoi një letër tjetër këtë të shtunë presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke i kërkuar të ndërhynte për të njëjtën arsye.
Skuadra maqedonase përballet me Austrinë, brenda pak orësh, në Stadiumin Kombëtar të Bukureshtit (18:00), në një ndeshje që do të hapë Grupin C, ku janë shortuar gjithashtu Ukraina dhe Holanda.
Comments are closed for this post.