Fitorja ndaj Veronës bëri që Milani të jetë skuadra e 4-t në 5 ligat kryesore europiane që kalon kuotën e 100 pikëve të grumbulluara në kampionat nga 1 Janar i vitit 2020, teksa tre të tjerat janë Manchester City, Bayerni i Mynihut dhe Reali i Madridit.
Mjafton të analizosh organikën e 3 skuadrave që e kanë kaluar këtë kuotë përpara kuqezinjve për të kuptuar se çfarë ecurie të jashtëzakonshme ka pasur Milani, që nuk ka shumë yje në skuadër, teksa i vetmi përjashtim është Ibrahimovic, edhe ky me 39 vite mbi supe.
Ndaj Veronës, Milani ishte i përgjysmuar, me vetëm 9 lojtarë në stol, ndër të cilët 2 portierë dhe Tonali që qëndroi në pankinë për mbështetje morale sepse nuk ishte në gjendje të luante. Praktikisht Pioli kishte vetëm 6 futbollistë që mund të shfrytëzonte dhe vendosi të kryente vetëm një zëvendësim, por nuk është hera e parë që ekipi nga Lombardia është në këtë situatë.
Në këtë sezon dëmtimet kanë qenë pa fund, pasi Bennacer ka humbur gjithsej në të gjitha kompetionet 19 ndeshje, Ibrahimoviç nuk ka luajtur në 17 takime, Rebiç nuk ka qenë i disponueshëm në 10 ndeshje, Kjaer, Saelemaekers e Leao në 8 dhe Calhanoglu 7 ndeshje.
Sot kuqezinjtë janë në vendin e dytë dhe ndoshta do ta kenë të vështirë të shpallen kampionë, por me një grup të ri në moshë, pa super-yje dhe me aq shumë dëmtime, pjesëmarrja në Champions do të ishte një trofe i fituar për Milanin.
Comments are closed for this post.