Në stadiumin e qytetit në Tetovë, të dielën në program është derbi lokal midis Shkëndijës dhe Renovës. Kjo ndeshje, ndër tifozët, njihet edhe si ‘El Clasico’ shqiptare e Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të renditjes aktuale në tabelën e klasifikimit ekipi kuqezi është favorite, por kur bëhet fjalë për derbi lokal asnjëherë nuk i dihet pasi gjithmonë mund të ndodhin befasi. Futbollisti Bruno Dita është i vetëdijshëm se të gjitha ekipet maksimalisht mobilizohen kundër kuqezinjve , por shprehet optimist për suksesin e radhës

“Përballë Shkëndijës gjitha ekipet mobilizohen jo 100 përqind, por 200 përqind mendoj që të na ndalin. Shpresoj që të dalim me fitore. Atë që e duam të gjithë dhe të vazhdojmë rrugën e kampionatit drejt titullit. Shkëndija çdo ndeshje futet për fitore edhe këtë ndeshje do futemi për fitore të dalim me sukses dhe të vazhdojmë rrugën drejt titullit kampion”. Deklaroi Bruno Dita – Futbollist I KF Shkëndija

Skuadra e Renovës me dy humbjet kundër Bellasicës në Tetovë dhe Pelisterit në Manastir u zhytë në krizë të thellë, por fitorja e fundit kundër Vardarit sjellë shpresë se mund t’ia dalin. Futbollisti Xhelil Abdulla i vetëdijshëm se kuqezinjtë janë skuadra më e kompletuar e vendit megjithatë shpreson se kësaj radhe pikët do të mbeten në saldon e ekipit të Renovës.

“Gjithë e dimë se Shkëndija është ndër ekipet më të mira të Maqedonisë, normal është edhe derbi lokal. E dimë se çfarë vlere ka kjo ndeshje, por pas fitores ndaj Vardarit mendoj se edhe ekipi ka marrë një freski. Mendoj se në këtë ndeshje do të japim maksimumin dhe shpresojmë në rezultat pozitiv”.deklaroi Xhelil Abdulla futbollist i KF Renova.

Një tjetër derbi lokal do të jetë ai midis dy skuadrave nga kryeqendra e vendit, FC Shkupit dhe Rabotniçkit, ndërkohë derbi i tretë lokal është ai midis skuadrave nga Strumica, Akademia Pandevit dhe Bellasicës. Në arenën”Todor Proevski” Vardari është nikoqire e Struga Trim Lum, ndërsa në Manastir, Pelisteri do të jetë nikoqir i Borecit. Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00.