Kryeministri Zoran Zaev, zv.kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do ta përfaqësojnë Maqedoninë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, konfirmuan nga Qeveria.

Në kuadër të samitit, Zaev do të ketë takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me komisionerin evropian për zgjerimin Johannes Hahn si dhe me përfaqësues të lartë, pjesëmarrës në samit.

Në samitin i cili fillon nesër dhe zgjat deri më 25 janar do të marrin pjesë 65 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 40 liderë të organizatave ndërkombëtare.

Edhe pse në fillim ishte konfirmuar, pjesëmarrjen e tij në samit e anuloi presidenti amerikan dhe ai francez, Donald Trump dhe Emmanuel Macron si dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May. Në samit nuk do të jenë as presidentët e Rusisë dhe Kinës.

Temë e samitit të sivjetmë është “Formësimi i arkitekturës botërore në kohën e revolucionit të katërt industrial”.