Sot mbushen 25 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza.

Humanistja shqiptare ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë.

6 vjet më parë, në 2016 Papa Françesku, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit e shpalli Nënë Terezën shenjtore duke e quajtur Shën Tereza.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe deri sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.