Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nëpërmjet një letre publike drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se kanë dhënë dorëheqje ministrat dhe funksionarët e BDI-së, por të njëjtat do të aktivizohen pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

“Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar!  Dorëheqjet, kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”, shkruan Ahmeti në letrën e tij.

Si arsye, Ahmeti numëron se vendi gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane, duke patur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do t’i votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria.

“Duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë, duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare”, shkruan Ahmeti.