“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”. Kjo është motoja e ndeshjes miqësore që yjet e Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të luajnë mes tyre sot me nisje në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”.

Ky aktivitet zhvillohet për qëllime bamirësie, pasi të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e biletave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.

Disa nga emrat e yjeve shqiptarë që do marrin pjesë në këtë aktivitet janë: Cana, Murati, Strakosha, Bogdani, Duro, Raklli, Hasi, Bejqaj, Tare.

Ndërkaq nga Turqia, Italia dhe Greqia emrat janë: Zambrota, Di Baxhio, Altintop, Ersoj, Karan, Shanli, Rushtu apo edhe Karagunis e Gekas.

Ditën e sotme, ish-futbollistët janë nisur për të vizituar zonat e prekura nga tërmeti dhe të jenë afër njerëzve që kaluan dhe po kalojë ende momente të vështira.