Komisioni Evropian sot ka shpallur vendimin për ndarjen e mbi 380 milionë eurove për realizimin e 133 projekteve të reja në mbarë Evropën në kuadër të Programit “Life” për aktivitete që lidhen me mjedisin dhe klimën. Këto fonde përfshijnë mbështetjen për përmirësimin e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese të banimit në vendin tonë.
Shuma prej 380 milionë euro përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit të investimeve të nevojshme për realizimin e projekteve, të cilat llogariten në 574 milionë euro. Fondet e mbetura do të sigurohen nga autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, përmes partneriteteve publiko-private, si dhe nga bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile.
Projekti në Maqedoni është pjesë e përpjekjeve për të harmonizuar objektivat e brendshme të klimës dhe energjisë me ato të BE-së deri në vitin 2030. Synimi i tij është krijimi i një sistemi shërbimesh për rinovimin e ndërtesave të banimit, duke u fokusuar në efiçencën e energjisë.
Në kuadër të fazës pilot do të subvencionohen renovimet e 200 shtëpive dhe banesave në Shkup, Kumanovë dhe Koçan, me qëllim të kursimit të energjisë dhe zvogëlimit të emetimit të gazrave të dëmshëm.
Për realizimin e projektit janë planifikuar afër 1.20 milionë euro nga BE-ja, nga gjithsej mbi 1.26 milionë euro që nevojiten, me afat 30 shtator 2027. Projekti koordinohet nga Shoqata për banim human “Habitat Macedonia” nga Shkupi.
Comments are closed for this post.