E kanë vendosur në listën e prioriteteve gjatë vizitës së tyre në Shkup, janë të impresionuar nga pamja e Kalasë, u pëlqen pozicioni dhe fakti që nga të gjitha anët mund të shohin kryeqytetin. Por turistët e huaj nuk janë aspak të kënaqur me mirëmbajtjen brenda hapësirave të Kalasë së Shkupit. Thonë se ka shumë mbeturina dhe është e mbuluar nga bari, ndërsa kritikojnë përse nuk ka një ciceron apo të paktën broshura prej ku mund të njoftohen me historinë e Kalasë.
“Kjo është vizita ime e parë në Shkup, në përgjithësi në Maqedoni dhe një prej gjërave të para që po i bëj këtu është vizita e kësaj kalaje. Sigurisht jam i impresionuar, duket shumë objekt i vjetër, një prej pamjeve kryesore në Shkup. Ajo që nuk më pëlqen është se përfundimisht nevojitet më shumë kujdes sepse pash shumë mbeturina, sikur shumë vite me radhë askush nuk është kujdesur për këtë, ndërkohë që është një vend historik për të cilën nevojitet kujdes… Poashtu nevojiten të paktën broshura, pasi unë nuk kam informacione për këtë kala, nuk e di kush e ka ndërtuar në cilin shekull apo cilin vit”, tha një turist.
“Isha brenda shikova përreth, nuk është lehtë për ecje”, shtoi një tjetër turist.
“Kalaja është e bukur, por ka mangësi, të kishte broshura dhe ciceronë për të na njoftuar me historinë e kalasë. Edhe mirëmbajtja lë për të dëshiruar”, u shpreh një turist tjetër.
Institucionet e kanë lënë pas dore Kalanë e Shkupit. Nga Ministria e Kulturës thonë se nuk janë përgjegjëse. Na dërguan te Qendra e Konservimit e Shkupit, si institucion përgjegjës për kalanë. Këta të fundit thonë se kalaja nuk është nën kompetencë të tyre dhe se përgjegjëse është Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Кulturore. Kontaktuam drejtorin e këtij institucioni Arian Asllanaj, i cili tha se kalaja tashmë është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, ndërsa kjo drejtori merret vetëm me sigurimin fizik të kalasë, duke nënvizuar se së shpejti edhe këto kompetenca pritet të kalojnë tek Qyteti i Shkupit. Por, nga Qyteti i Shkupit akoma nuk ka përgjigje për këtë çështje.
Comments are closed for this post.