Zakharova paralajmëroi se në këtë mënyrë po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan, duke deklaruar se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.

Ditën e djeshme është hapur Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në hapjen e kësaj qendre mori pjesë edhe kryeministri, Edi Rama. Kryeministri u shpreh në rrjete sociale se kjo qendër është një vatër e zhvillimit teknologjik. Ai shtoi më tej se modernizimi i ushtrisë shqiptare krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, po edhe në funksion të modernizimit të qeverisjes e të mbështetjes së sektorit privat.

“Kjo qendër i bashkohet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt i madh për mbrojtjen në botën dixhitale, me një rol kyç në luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjen e sistemeve tona të informacionit, i krijuar falë mbështetjes së SHBA” – deklaroi Rama gjatë ceremonisë së inaugurimit të mërkurën.

Ndërkohë, po ditën e djeshme, Rusia ka reaguar përmes zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, duke akuzuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian për zgjerimin e qendrave të tyre kibernetike të orientuara drejt sulmeve kundër Rusisë.

Sipas saj, një qendër e ngjashme është hapur edhe në Shqipëri, me pretendimin se misioni i qendrës do të jetë të krijojë një imazh negativ të Rusisë. Zakharova paralajmëroi se në këtë mënyrë po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan, duke deklaruar se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.

Sipas mediave të huaja, Rusia ka filluar të sajojë një justifikim për të kërcënuar Shqipërinë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, gjatë një konference në Moskë, akuzoi NATO-n dhe Bashkimin Evropian për zgjerimin e qendrave të tyre kibernetike të orientuara drejt sulmeve kundër Rusisë.

Sipas saj, një qendër e ngjashme u krijua në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën personeli ushtarak rus pretendon se funksionon në sfera ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. Zakharova akuzoi më tej NATO-n për manovra të rrezikshme luftarake.

“Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, vendi është shpallur, citoj “kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë”. Ka një grumbullim aktiv të trupave në drejtimin lindor. Stërvitje ushtarake të paprecedentë. Ata po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as nuk e fshehin atë”, shtoi ajo. Ndër të tjera ajo deklaroi se NATO nuk ka vend në botën e re multipolare dhe mbetet në optikën e Rusisë.