Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se të paktën 6 mijë e 755 civilë u vranë, dhe më shumë se 10 mijë e 600 të tjerë u plagosën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Pushtimi rus i Ukrainës që nisi më 24 shkurt ka hyrë në muajin e dhjetë.

Forcat ukrainase po vazhdojnë të betejën në lindje, teksa trupat ruse po sulmojnë në disa drejtime, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i Ukrainës, tha më 13 dhjetor, se rusët vazhduan të sulmojnë në Bakmut, Avdijivka dhe Zaporizhja në Ukrainën lindore dhe qendrore, por bombarduan pa dallim, si pozicionet ushtarake, ashtu edhe vendbanimet civile.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se granatimet e vazhdueshme të Rusisë kanë shkatërruar plotësisht qytetin e Bakhmut dhe kanë dëmtuar rëndë qytetin e Avdijivka.

Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë dhe kanë lënë pa rrymë miliona persona.