Nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski bëri të ditur se mbledhja e 88-të në të cilën deputetët diskutojnë për propozimin që Risto Penov të jetë ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale, vazhdon nesër pas orës 12.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në ekspozenë e tij para deputetëve theksoi se është i bindur se Qeveria me Risto Penovin në sferën e Vetëqeverisjes Lokale do të bëjë shumë më tepër në politikat strategjike edhe në nivel lokal dhe atë qendror.

Sipas opozitës, Qeveria përsëri po defokuson opinionin, ndërsa deputetët e pushtetit theksuan se Penovi është zgjedhje e mirë dhe kërkuan mbështetjen e deputetëve të opozitës.

Propozimi që Penovi të zgjidhet ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale vjen pasi bashkëpartiaku i tij, Goran Milevski dha dorëheqje nga posti për shkaqe personale.

Zgjedhja e Penovit është në rendin e ditës në vazhdimin e mbledhjes së 88-të.

Penov është ish-deputet dhe ish-kryetar i Qytetit të Shkupit. Një nga themeluesit e Partisë Liberal-demokrate dhe ish-kryetar i saj. Ka magjistruar në Fakultetin juridik në Shkup, ndërsa ka diplomuar në Fakultetin ekonomik.

Në rend dite të mbledhjes së 88-të plenare është edhe zgjedhja e gjykatësve kushtetues për çka debati përfundoi dhe vetëm duhet të votohet për Fatmir Skender dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva. Për shtatë kandidatët e tjerë debati dhe deklarimi në Komision nuk ka përfunduar.

Në rend dite të kësaj mbledhje janë edhe ligjet lidhur me masat për përballje me krizën energjetike, si dhe ndryshimet e ligjit për shoqatat dhe për partitë politike dhe të tjera.