Në prag të zgjedhjeve lokale të planifikuara për më 19 tetor, prej sot ka filluar verifikimi publik i Listës zgjedhore, i cili do të zgjasë 20 ditë, përkatësisht deri në mesnatë të 11 shtatorit.
KSHZ-ja nënshkruan Listën e përfunduar zgjedhore, përkatësisht certifikatat nga Lista zgjedhore mbi të cilat votohet, jo më vonë se deri më 3 tetor.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko në seancën e djeshme, u bëri thirrje qytetarëve që nga sot deri në mesnatë të 11 shtatorit të shqyrtojnë Listën e zgjedhësve në zyrat rajonale të KSHZ-së, adresat e të cilave janë publikuar në faqen e internetit të Komisionit, dhe të cilat do të jenë të hapura nga ora 8:00 deri në orën 20:00 vazhdimisht, si gjatë fundjavave ashtu edhe gjatë festave.
“Në mënyrë të njëpasnjëshme çdo ditë, pas përfundimit të orarit të punës, departamentet rajonale do të na japin të dhëna për evidencat ditore dhe të njëjtat të dhëna do të publikohen të nesërmen se sa qytetarë e kanë ushtruar këtë të drejtë nëpër komuna dhe nëpër departamente rajonale”, tha Kondarko.
Qytetarët duhet të paraqesin një kërkesë për regjistrimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave në certifikaat e Listave zgjedhore që janë të hapura për shqyrtim publik me shkrim në zyrën rajonale të KSHZ-së ose zyrën lokale në zonën e tyre të banimit, ose me email në KSHZ. Kërkesa duhet të shoqërohet me provat e nevojshme. Kërkesat për regjistrimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave në Listën zgjedhore duhet të dorëzohen në periudhën nga 23 gushti deri më 11 shtator.
Comments are closed for this post.