Pas ri-mbylljes së sotme të hapësirës ajrore izraelite dhe Aeroportit “Ben Gurion” në Tel Aviv, të gjitha fluturimet për në dhe nga Izraeli u anuluan. Fluturimet pritet të rifillojnë gjatë ditës, varësisht nga situata e sigurisë, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.

“Sipas informacionit të marrë nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Tel Aviv, gjithsej 11 shtetas të vendit aktualisht presin evakuim me fluturim nga Tel Avivi. Kjo mund të realizohet në ditët në vijim, varësisht nga zhvillimi i situatës së sigurisë. Si alternativë, ekziston mundësia e evakuimit me det, me anije nga Ashdodi në Limasol (Qipro), për të cilin Ambasada është në komunikim të rregullt me ​​shtetasit tanë dhe autoritetet kompetente izraelite. Ju kujtojmë se, përveç evakuimit të grupit të parë të shtetasve të realizuar me aeroplan qeveritar më 17 qershor, që nga 22 qershori, numri i përgjithshëm i shtetasve të vendit tonë të interesuar për evakuim nga Izraeli është 27. Megjithatë, jo të gjithë janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë”, thonë nga MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, nëpërmjet Ambasadës në Tel Aviv, mbetet në komunikim të vazhdueshëm dhe plotësisht në dispozicion të qytetarëve e vendit, deri në evakuimin e tyre të sigurt.

Qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e mëposhtëm SOS:

+389 75 273 732 / +389 75 268 736

ose në telefonat e detyrës së Ambasadës në Tel Aviv:

+972 54 500 8566 / +972 54 967 054

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të përmbahen nga udhëtimet në vendet e Lindjes së Mesme ku situata e sigurisë është serioze”, thonë nga MPJ.