Këto ditë nga Shtëpia Botuese “LOGOS-A” nga Shkupi, u botua teksti universitar: “Fillet e së drejtës” në gjuhën shqipe i autorit Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari, profesor ordinar në lëmin juridik: E drejta kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-së-Tetovë. Teksti në fjalë përbëhet nga dy pjesë dhe trembëdhjetë kapituj, që si një tërësi e reflektojnë objektin e studimit të Filleve të së drejtës, si një shkencë juridike hyrëse dhe e përgjithshme. Në këtë tekst universitar, autori ngërthen dhe nyjëton qasjet e ndryshme teorike dhe të përgjithshme të Filleve të së drejtës, ku lexuesit i ofrohet një gamë e gjerë e çështjeve dhe aspekteve të ndryshme juridike që i japin trajtë përmbajtjes së materies së kësaj lënde mësimore. Të rrumbullakohet një materie e cila në vete i përfshin pjesët më të rëndësishme të organizimit shtetëror dhe juridik të shoqërisë, nuk është një punë e lehtë shkencore, andaj, ky tekst universitar, krahas njohurive të përgjithshme hyrëse juridike mbi shtetin dhe të drejtën, mëton të pasqyrojë edhe njohuritë konkrete mbi tërësinë e të drejtës pozitive të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke u shërbyer me shembuj të shumtë të qartë nga e drejta pozitive dhe konkrete e saj, si një material mjaft i nevojshëm për të bërë krahasimet e duhura me njohuritë teorike si pjesë kryesore të këtij teksti universitar.

Në këtë tekst universitar, gjejmë interpretime ditunore provokuese dhe kritike të kategorive dhe instituteve komplekse shtetërore-juridike, të përcjella me gjuhën e qartë dhe frymëzuese të autorit që si i tillë, mbi të gjitha është në funksion të profilizimit të juristëve të rinj që më shumë do të duhet të meditojnë dhe debatojnë mbi nocionet dhe dukuritë shtetërore-juridike, se sa tʼi memorizojnë ato, duke qenë kështu, më kompetentë dhe më kreativë në “botën shkencore juridike”.

Siç shprehet autori, përmes Filleve të drejtës përfitohet një tablo e përgjithshme për shtetin dhe të drejtën duke studiuar njohuritë elementare, të përgjithësuara, fillestare dhe themelore për shtetin dhe të drejtën. Kësodore, për këto arsye, Fillet e së drejtës konsiderohet të jetë një nga lëndët më të rëndësishme mësimore në fakultetet e drejtësisë. Pa i ditur Fillet e së drejtës, nuk mund të kuptohet thelbi i shtetit dhe tharmi i së drejtës. Prandaj, është e nevojshme që studentët e vitit të parë të fakulteteve të drejtësisë, të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e Filleve të së drejtës, në mënyrë që t’i përkushtohen plotësisht kësaj lënde mësimore.

Për të krijuar këtë vepër shkencore, autori ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë profesionale vendase dhe të huaj nga kjo lëmë juridike si objekt hulumtimi, me çʼrast gjatë elaborimit të kategorive dhe instituteve shtetërore-juridike, autori i trajton dhe hyn në bashkëbisedim me pikëpamjet e autorëve vendas dhe të huaj, por para së gjithash ekspozon pikëpamjet dhe interpretimet e veta të sublimuara të kësaj lënde juridike, mirëpo pa ua imponuar ato studentëve, por duke i nxitur studentët që të sendërtojnë pikëpamjet e veta kritike profesionale.

Recensues të këtij teksti universitar janë: Prof. Dr. sc. Visar Morina, profesor ordinar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë si dhe Prof. Dr. sc. Zemri Elezi, Profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore të UEJL-së.