Tirana do të jetë në qendër të vëmendjes europiane më 16 maj, ku do të mirëpresë për herë të parë Samitin e Komunitetit Politik Europian (KPE), me pjesëmarrjen e 55 liderëve të kontinentit.
Disa nga liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor pritet të mbërrijnë në Tiranë që një ditë përpara, ku do të zhvillojnë takime bilaterale me Kryeministrin Edi Rama. Mes tyre është edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili, sipas njoftimit të “10 Downing Street”, do të mbërrijë të enjten dhe pritet të shpallë masa të reja për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale të trafikut të qenieve njerëzore.
Mbërritja e delegacioneve do të ndodhë përpara Muzeut Kombëtar në Tiranë, për t’u drejtuar më pas drejt godinës së Operës, ku do të mirëpriten nga Kryeministri Rama. Pas ceremonisë zyrtare, liderët do të zhvendosen në ambientet e posaçme të ndërtuara pranë Monumentit të Skënderbeut në sheshin Skënderbej, ku do të mbahet pjesa kryesore e samitit.
Ambienti i samitit është dekoruar në pjesën ballore me vizatime të nxënësve shqiptarë që paraqesin vizionin e tyre për Evropën, si simbol i përfshirjes dhe aspiratës europiane të brezit të ri.
Programi zyrtar i samitit-16 maj 2025
- 10:00 – Mbërritja e delegacioneve dhe deklarata për media
- 11:00 – Ceremonia zyrtare e hapjes
- 11:30 – Fotografia familjare e liderëve
- 12:00 – Sesioni plenar i parë: Siguria dhe vizioni i përbashkët për të ardhmen e Europës
- 13:30 – Drekë zyrtare
- 15:00 – Tryeza tematike në tre fusha kryesore:
- Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike
- Konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike, përfshirë sfidat e lëvizshmërisë
- Fuqizimi i të rinjve
- 16:30 – Takime dypalëshe mes liderëve
- 18:00 – Sesioni përmbyllës plenar
- 18:30 – Konferencë për shtyp e përbashkët: Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Danimarkës, vendi pritës i samitit të ardhshëm
Comments are closed for this post.