Një 32-vjeçar banor i fshatit Slupçan të komunës së Likovës ka përfunduar në paraburgim, pasi para dy dite sulmoi një punonjës të policisë, i cili u përpoq ta arrestonte.

“I dyshuari më datë 29.09.2019 duke përdorur armë të rrezikshme ka sulmuar fizikisht dhe ka plagosur një polic. Polici ishte në përbërje të patrullës së motorëve, dhe ishte drejtuar për të lokalizuar dhe ndaluar të dyshuarin. Në momentin kur policët lokalizuan dhe vepruan drejt kapje së të dyshuarit, ai sulmoi policinë me një shufër metalike dhe i shkaktoi plagë në pjesën e barkut. Për të siguruar kushte për zhvillimin e qetë të procedurës penale, prokurori kompetent paraqiti një propozim në Gjykatën Themelore të Kumanovës për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Alsat