Maqedonia sot shënon 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001. Me këtë rast, mbrëmë në ambientet e Klubit të Deputetëve, u organizua pritje solemne.
Me këtë rast, Qeveria duke filluar nga ora 10:00, në Sallën Solemne të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, do të mbajë Seancë solemne në të cilën do të mbajë fjalim Hristijan Mickoski.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, mbrëmë në pritje solemne deklaroi se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një dokument politik. Ajo shtoi ai, është një akt vizionar, një kontratë historike ndërmjet bashkësive që jetojnë në këtë vend, një angazhim për ndërtimin e një shteti ku secili ndihet i barabartë, i përfaqësuar dhe i respektuar.
“Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi themelet për një bashkëjetesë të re – mbi parime të demokracisë, inkluzivitetit dhe respektit të ndërsjellë. Shqiptarët dhe maqedonasit – por edhe të gjitha bashkësitë tjera etnike – nuk janë thjesht pjesë të një shteti; ne jemi bashkëthemelues të tij. Ne nuk mund të shmangim njëri-tjetrin, dhe as nuk duhet të provojmë. Jemi të thirrur të jetojmë së bashku, të krijojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe sukseset, të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për brezat që vijnë. Kjo nuk është një detyrë – është një mundësi historike! Nëse ka një mësim që historia jonë e përbashkët na mëson, është se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë institucione funksionale dhe një shtet që i shërben qytetarit. Marrëveshja e Ohrit është udhërrëfyesi ynë për të ardhmen – dhe ajo na mëson se orientimi i përbashkët është garancia e vetme për suksesin tonë të përbashkët”,tha Mexhiti.
Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim nga ana tjetër do të zhvillojë Akademi Solemne sot në orën 18:00 në Aleksandar Palace – Shkup me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes Paqësore të Ohërit.
Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht për shqiptarët.
Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.
Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë, kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.
Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit
Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.
Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO, ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.

Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.
Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit
Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafrimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001. Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohërit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.
Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.
Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.
Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionoi në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Comments are closed for this post.