Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, me rastin e festës së Fitër Bajramit uroi gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se, sipas tij, rreziku nga pandemia ndikoi që besimtarët të mbështeten edhe më shumë te Zoti.

“Ne po dalim, të nderuar besimtarë, nga një Ramazan që sivjet ishte pak më ndryshe, por vetëm nga forma e jashtme e tij, brendësia e Muajit të Bekuar, përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta, ishte e pandryshuar sikur në pesëmbëdhjetë shekujt e shkuar të Islamit.Në fakt, kam bindjen se Ramazani që po e përcjellim na bëri edhe më të fortë, rreziku që na sillej vërdallë ndikoi të mbështetemi edhe më shumë te Zoti ynë, të jemi më solidarë, të kujtojmë me tërë qenien se jeta, lumturia dhe ardhmëria jonë janë përcaktim i të madhëruarit Zot”, shkruan mes tjerash Rexhepi.

Rexhepi falënderoi besimtarët që respektojnë masat për mbrojte nga Covid-19 gjatë muajit të Ramazanit dhe bëri thirrje që besimtarët të kenë kujdes deri në eliminimin e plotë të masave që po imponon pandemia.

“Me këtë rast, të dashur besimtarë, edhe një herë po shpreh falenderimin dhe mirënjohjen e BFI ndaj sjelljeve të juaja gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe mirëkuptimin që treguat lidhur me masat që patëm, në veçanti për seriozitetin dhe disciplinën me të cilat dëshmuat botëkuptimet e juaja civilizuese pas hapjes së xhamive. Ju qoftë i gëzuar dhe i mbarë Fitër Bajrami, Allahu xh.sh. ua bëftë kabull agjërimin dhe ibadetet e juaja, paqa e mëshira e Tij qofshin mbi familjet e juaja, mbi më të dashurit e juaj, mbi popullin tone mbrenda dhe jasht vendit e sidomos ndaj diasporës tonë që po feston largë atdheut. Ju lutem tregoni kujdes për shëndetin e juaj deri në eliminimin e tërësishme të masave që po i imponon pandemia sepse mbrojtja e shëndetit është një obligim i rëndësishëm fetar islam”, përfundon Rexhepi.