Mbi 500 mijë qytetarë janë regjistruar në nëntë ditët e para të Regjistrimit të popullsisë. Enti Shtetëror për Statistika vlerëson se regjistrimi vazhdon me intensitetin e dëshiruar, ndërsa kryeministri Zaev pret që ky regjistrim të përfundojë me sukses më 30 shtator.

Regjistrimi në fillim kishte probleme teknike që u tejkaluan me përditësimin e softuerit.

Kryeministri Zaev falënderoi qytetarët të cilët e njohin rëndësinë e zbatimit të regjistrimit të popullsisë.

“Pres që regjistrimi të vazhdojë me dinamikën e paraparë dhe të gjithë aktivitetet të përfundojnë deri më 30 shtator”, u shpreh Zaev në Facebook.

ENSH gjatë ditës së djeshme njoftoi se deri në ora 18:00 janë regjistruar 502.000 persona, ndërsa mundësinë e vetregjistrimit të popullsisë jashtë Maqedonisë së Veriut e kanë shfrytëzuar 192.538 persona.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave zyrtarisht filloi më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.