Vijojnë hetimet e rastit për keqpërdorimin e ilaçeve të pacientëve me kancer në Klinikën e Onkologjisë në Shkup.

Një ekip prokurorësh nga Prokuroria Publike dje ka qenë në Prokurorinë e Kosovës dhe ka realizuar takim të drejtpërdrejtë për sigurimin e provave në lidhje me hetimet paraprake të punës së Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, kumtojnë nga Prokuroria.

“Nga autoritetet e Kosovës, përmes pikave të kontaktit në Rrjetin evropian të drejtësisë, janë kërkuar të dhëna konkrete të nevojshme për të kontrolluar pretendimet mbi bazën e të cilave ka filluar hetimi paraprak. Pastaj, prokurorët kosovarë shprehën gatishmëri për bashkëpunim dhe sigurimin e të dhënave të nevojshme”, thuhet në kumtesë.

Nga Prokuroria bëjnë me dije se në periudhën e ardhshme, varësisht nga nevoja e hetimit paraprak për sigurimin e provave, një takim i ngjashëm do të organizohet në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë.

“Ndërkohë, ekipi i prokurorëve nga Prokuroria Themelore Publike Shkup vazhdon të ndërmarrë të gjitha aktivitetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Çdo ditë intervistohen pacientë dhe të afërm të tyre, profesionistë mjekësorë dhe persona të tjerë që mund të kenë njohuri të caktuara. Ministria e Shëndetësisë deri te Prokuroria Publike ka dorëzuar raport nga Inspektorati shtetëror shëndetësor dhe sanitar i cili i referohet punës së Klinikës së onkologjisë.

Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik është në proces hetimi financiar si dhe ekspertiza e detajuar e funksionimit ekonomiko-financiar të Klinikës të cilin e kryen ekip i ekspertëve, përfaqësues nga Enti Shtetëror i Revizionit dhe përfaqësues të Fondit për Sigurim Shëndetësor”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.