Tregtarët nga mesnata e sotme do të mund vetë të vendosin çmimet me pakicë të naftës dhe derivateve të saj që i shesin në pompat e benzinës që i posedojnë. Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski, ju bën thirrje tregtarëve që të mos shkaktojnë shko çmimesh për qytetarët.

Sipas tij, nëse ndiqet lëvizja në berzën botërore të naftës, nga mesnata e sotme duhet të ketë ulje të lehtë të çmimeve të benzinës dhe rritje të lehtë të çmimeve të dizelit.

“Nuk pres që tregtarët të bëjnë aventurë dhe prej nesër të shkaktojnë shok të çmimeve. Nëse e bëjnë këtë gjatë sjelljes së metodologjisë së re, KRRE do të merr parasysh këtë sjellje. Por nga komunikimi im me tregtarët nuk pritet të përdoret vakumi i kësaj periudhe dhe pritet që t’i ndjekin çmimet e berzës botërore të çdo derivati”, tha Bislimovski.

Liberalizimi i përkohshëm i tregut dhe mundësia që tregtarët vetë të vendosin çmimet e derivateve të naftës, është bërë për shkak të vakumit të shkaktuar me mos-nënshkrimin e ndryshimeve ligjore të Ligjit për energjetikë nga ish-presidenti Gjorge Ivanov.

“Jemi në përfundim të miratimit të metodologjisë së re. Është e nevojshme të miratohen ndryshimet në Ligjin për energjetikë, të cilat janë në procedurë kuvendore dhe menjëherë pas miratimit do të mbajmë seancë përgatitore dhe kryesore, në të cilën do të miratojmë metodologjinë e re”, tha Bislimovski.

Ai shtoi se pas miratimit të metodologjisë së re, KRRE çdo të hënë do të përcaktojë çmimet e derivateve të naftës.