Këtë javë duhet të marrë epilog situata e krijuar në Shkollën Fillore “Penko” me nxënësit problematik, sjellja e padisiplinuar e të cilëve kishte shqetëson prindërit dhe ngjallë frikë tek nxënësit e tjerë. Pas publikimit të lajmit në Alsat, drejtuesit e shkollës rastin e denoncuan në polici. Prindërit ankohen se problemi zgjatë tanimë një kohë të gjatë, ndërsa drejtori mohon. Ai sërish paralajmëron se do të takojë prindërit e nxënësve problematikë dhe se do të ndërmerren të gjitha masat që parasheh Ligji për Arsim Fillor.

Ne sot e kemi mbledhjen e këshillit të arsimtarëve. Sipas ligjit, edhe atë ditë ju thash, se do të veprojmë. Ne do të aprovojmë gjithçka që parasheh ligji. Për nesër është paraparë takim me prindërit e këtyre nxënësve, pas orës 9 me siguri do të vijnë dhe besoj se nesër pas takimeve me prindërit dhe dot kemi epilog. Besoj se nuk do të ketë më probleme të tilla”-tha Enis Mehmedi, drejtor i Shkollës Fillore “Penko”.

Në bazë të nenit 72 të Ligjit për Arsim Fillor, drejtuesit e shkollës shqiptojnë masat paralajmërim me gojë, me shkrim, qortim dhe zhvendosja e nxënësve në paralele tjetër. Gjithashtu në bazë të pikës dy të këtij neni duhet të formohet edhe një ekip mbështetës.

Ligji për arsim fillor neni 72:

“Gjithashtu me shqiptimin e këtyre masave nga pika një e këtij neni, drejtori i shkollës formon ekip për mbështetje, i cili do të punojë me prindin, kujdestarin, nxënësin, mësuesin dhe paralelen, me qëllim tejkalimin e problemit. Ekipi përbëhet nga dy përfaqësues punonjës profesional dhe një mësues. Shkolla mund të thërrasë edhe person të tretë, punonjës social, që të bëhet pjesë e ekipit për mbështetje.
(3) Mënyrën e shqiptimit të masave pedagogjike e përcakton ministri me propozim të Byrosë.”

Ndërkohë komuna e Butelit vazhdon analizën e situatës, që më pas të vendos për përgjegjësinë eventuale të drejtorit të shkollës. Opinioni u informua me këtë problem pasi disa prindër të shqetësuar alarmuan Televizionin Alsat se tashmë rreth dy vite disa nxënës problematikë shqetësojnë fëmijët e tyre, deri në atë nivel sa frikësohen të shkojnë në shkollë. Burimet thanë për Alsat se dy nxënësit problematikë shëtisnin nëpër objektin e shkollës me elektroshok dhe thikë. Madje, gjatë pushimit nxënësve më të vegjël u merrnin para. Prindërit thonë se disa herë kanë kërkuar nga drejtori që të marrë masa, por drejtori i shkollës thotë se për rastin është informuar në fund të javës së kaluar.