Lidhja e Shkupit me Pragën, bashkëpunimi mes dy aeroporteve dhe futja e linjave të reja ajrore ishin temat e diskutimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe Jiri Pos, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Vaclav Havel të Pragës, në takimin e mbajtur sot në Pragë.

Siç njofton Ministria e Transportit, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se Qeveria është plotësisht e përkushtuar për nxitjen dhe zhvillimin e komunikacionit ajror në vend dhe se po zbatohen politika për krijimin e një rrjeti të gjerë të linjave nëpër Evropë dhe botë.

Në takim ai prezantoi mundësitë dhe kushtet që ofron shteti për kompanitë e reja ajrore të interesuara për operim nga dy aeroportet vendase, duke theksuar se Qeveria po shqyrton çdo mundësi për bashkëpunim, duke iu referuar kushteve për mbështetje financiare për futjen e linjave të reja.

Në takim u ngrit edhe çështja e bashkëpunimit ndërmjet Aeroportit të Pragës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, si dhe mundësia e vendosjes së linjës së re ndërmjet Shkupit dhe Pragës, duke marrë parasysh marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe nevojën për komunikim më të ngushtë mes dy popujve, thuhet në komunikatë.

Në takim, zëvendëskryeministri Nikolloski potencoi edhe potencialin e aeroportit të Ohërit dhe ofertën turistike që ofron rajoni Ohër-Strugë, si avantazh për themelimin e linjës së re ajrore për në Ohër. Gjithashtu u shqyrtua mundësia e krijimit të linjës së re ajrore Ohër – Karllovi Vari.

Në kuadër të vizitës së tij të punës në Pragë, zëvendëskryeministri Nikolloski sot ka takuar përfaqësuesit e automobilistikës “Skoda” për të biseduar për bashkëpunimin e ardhshëm.

Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski është në një vizitë pune në Republikën Çeke, ku po merr pjesë në seancën plenare të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës Çeke.