Në Ohër sapo ka filluar seanca e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Hungarisë, e udhëhequr nga kryeministrat e të dyja vendeve, Hristijan Mickoski dhe Viktor Orban.
Seancës, e cila pritet të zgjasë rreth dy orë, i ka paraprirë një takim kokë më kokë mes kryetarëve të qeverive të dy vendeve.
Kryeministri Mickoski theksoi se takimi ishte miqësor dhe se Hungaria historikisht ishte një vend partner që i njeh aspiratat e Maqedonisë për pavarësi dhe sovranitet.
Prej vitesh, lidhjet politike dhe ekonomike mes vendeve tona janë thelluar dhe takimet e sotme vetëm sa konfirmojnë aleancën tonë strategjike. Hungaria nuk është vetëm partneri ynë në skenën evropiane, por edhe shembull se si një shtet mund të balancojë me sukses sovranitetin kombëtar me integrimin global, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në FB.
Pas seancës ndërqeveritare, protokolli parashikon se dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë për media ku do të prezantojnë detaje nga ecuria e bisedimeve.
Delegacioni i shumtë hungarez që mbërriti mbrëmë në Ohër përbëhet nga dhjetë ministra të kabinetit të Orbanit.
Sot pasdite është planifikuar një shëtitje e delegacionit hungarez nëpër Ohër, një vizitë në Kishën e Virgjëreshës Perivlepta, Teatrin Antik dhe kompleksin e Manastirit të Shën Naumit, ndërsa kryeministrat e të dy vendeve do të vendosin lule para monumentit të Shenjtorët Kirili dhe Metodi në Ohër.
Comments are closed for this post.