Pas marrjes zyrtarisht të statusit të të pandehurve për aferën ‘CEZ-DIA’ dhe lobimin në SHBA, ish-Presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kanë reaguar ashpër ndaj SPAK dhe akuzave që po i ngarkohen.
Meta, i arrestuar prej tetorit 2024, u shpreh përmes një komunikimi telefonik se mezi pret nisjen e procesit gjyqësor për të mundësuar përballjen me faktet dhe provat. Ai e cilësoi SPAK-un si “një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës”, duke e akuzuar për përndjekje politike.
“Nuk kam ndër mend të kërkoj as mbylljen me procedurë. Mezi po pres sallën e gjyqit, ku do të jenë gazetarë ndërkombëtarë për të parë edhe faktet dhe provat”, tha Meta
Nga ana tjetër, Kryemadhi, që ndodhet në detyrim paraqitjeje, theksoi se do të flasë vetëm në gjyq dhe sulmoi SPAK-un, duke e quajtur Edi Ramën si prokurorin e gjithë procesit. Ajo shtoi se ka frikë vetëm nga drejtësia hyjnore dhe jo nga ajo njerëzore.
“Aty prokuror është Edi Rama. Sfidat për mua janë me opinionin publik dhe zotin, drejtësia njerëzore është një moment dhe drejtësia hyjnore është ajo që duhet të kemi frikë”, tha Kryemadhi.
Ndërkohë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, e cilësoi çështjen si të montuar dhe përmendi se do të kërkohet që të thirren edhe persona të tjerë, të cilët kanë firmosur lobimin në SHBA dhe kanë pasur përgjegjësi për veprimet që po akuzohen.
“Iu komunikua akuza, do bëjmë kërkimet tona. Do kërkojmë të kryhen disa veprime procedurale. Nuk ka patur ndryshim nga materiali që është paraqitur për të tre akuzat, korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehja e pasurisë. Kishte qëndrim, sepse akuzat nuk qëndrojnë, janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, edhe kur është marrë në pyetje. Hetimet u përfunduan pas zgjedhjeve dhe jemi në këtë moment, pikërisht në momentin që përfunduan zgjedhjet, për të hequr vëmendjen. Pasi të lexojmë materialet, njihemi edhe me aktet, sepse janë fashikuj të tërë, duhen kohë për t’i studiuar. Meta i ka dhënë shpjegimet para se të merrej masa e arrestit. Çështja është e montuar, i drejton autokrati të gjitha veprimet, i ka drejtuar të gjitha veprimet ndaj Metës. Janë persona të tjerë që mbajnë përgjegjësi për lobimet, emrat do dalin, kjo çështje nuk përfundon këtu, do thirren ato persona që ka ngritur kartonët edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Do jetë procesi i shekullit, kjo gjykatë vendos çfarë kërkon prokuroria. Është qëndrim i Metës, ju keni qenë dëshmitar të rrëmbimi të Metës. Nuk pati veprim nga Policia që të verifikonin këta banditë që rrethuan rrugën dhe e arrestuan në atë mënyrë. Nuk ka asnjë hetim. Meta është regjistruar si person hetim më 10 qershor, dhe është arrestuar më 21 tetor, plot 5 muaj më pas. Pse duhet arrestuar Meta, se u lirua Berisha dhe u arrestua Meta. Të dy jashtë nuk mund të rrinin jashtë për zgjedhje”, tha ai.
Comments are closed for this post.