Mbi 19 mijë kompani deri më tani kanë aplikuar për masën për mbështetje financiare për pagesën e pagave për muajt prill dhe maj në vlerën më shumë se 14.500 denarë në muaj për punonjës.

Siç thonë nga Qeveria, numri i kompanive të cilat kanë aplikuar është jashtëzakonisht i lartë dhe inkurajuese, ndërsa deri në fund të afatit për aplikim mbeten edhe dy ditë, dita e sotme dhe dita e nesërme (e enjte) deri në orën 24:0.

“Aplikimi për këtë masë filloi më 1 maj dhe deri më tani, vetëm për disa ditë, edhe krahas festës dhe fundjavës, në Drejtorinë për të Ardhura Publike kanë arritur më tepër se 19 mijë aplikime, të cilat flasin për interesin e madh të masës”.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe njëherë bën thirrje që të gjitha kompanitë të cilat ende nuk kanë aplikuar për këtë mbështetje financiare, ta bëjnë këtë sa më shpejtë përmes sistemit e-tatime të DAP-it”, thonë nga Qeveria.

Ata shtojnë se do të mbeten të përqendruar t’ju ndihmojnë sa më tepër qytetarëve, që të ruhen sa më tepër vendet e punës, të mbështeten kompanitë dhe të përgatitemi për rifillimin e ekonomisë pas përfundimit të krizës shkaktuar nga pandemia e COVID-19.