Fondacioni për iniciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas Hapi” në bashkëpunim me Shoqatën për promovim dhe zhvillim të shoqërisë inkluzive “Inkluziva” dhe Shoqatën për ofrim të shërbimeve personave me aftësi të kufizuara “Handimak”, realizon Projektin “Bëhu IN, bëhu Inkluziv, bëhu i gjithëpërfshirë”. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe ka për qëllim të sigurojë përfshirje të plotë dhe të barabartë të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e rregullta fillore.

Si pjesë e Projektit “Bëhu IN, bëhu Inkluziv, bëhu i gjithëpërfshirë”, gjatë vitit shkollorë 2020/2021 janë siguruar bursa për 322 fëmijë me aftësi të kufizuara të cilët janë regjistruar dhe kanë ndjekur rregullisht mësimin. Projekti do të vazhdojë t’i mbështes këta bursistë por edhe do të mundësojë bursa plotësuese për 150 nxënës me aftësi të kufizuara të regjistruar në klasën e parë të vitit shkollorë 2021/2022. Shpallja për 150 bursistët e ri është e hapur në faqen e internetit të Fonacionit “Hap pas Hapi” www.stepbystep.org.mk (në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe). Shpallja është e hapur deri në 30 Shtator të vitit 2021 dhe mund të aplikojnë të gjithë prindërit/kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë regjistruar në klasën e parë të shkollave fillore. Për informata plotësuese, palët e interesuara mund të drejtohen në 072-307-326 dhe në: [email protected]

Vlera mujore e bursës është 50 ЕUR në kundërvlerë me denarë dhe e njëjta do të jepet nga shtatori i vitit 2021 deri në Qershor të vitit 2022. Mbajtja e bursës në vitin e ardhshëm shkollor varet nga rregullsia e nxënësit në shkollë dhe transferimi i suksesshëm në klasën tjetër.

Në njoftim thuhet se familjet e kandidatëve që do të marrin bursën nuk e humbin të drejtën e ndihmës minimale të garantuar sipas nenit 4 të Rregullores për mënyrën e ushtrimit të të drejtës për ndihmë minimale të garantuar (Gazeta zyrtare e RMV, nr. 109 nga 28.5.2019)[3]: Gjatë realizimit dhe shfrytëzimit të të drejtës për ndihmë të garantuar minimale, bursat nuk llogariten si të ardhura.