Vendi ynë është kapluar nga masa ajrore ciklonike si rezultat i të cilave gjatë ditëve të fundit kemi mot të paqëndrueshëm, shkruan Alsat.
Mos u gënjeni nga dielli i mëngjesit, sepse në mesditë mund t ju befasojë shi i rrëmbyer.
“Të gjithë i gëzohemi ardhjes së pranverës dhe rritjes së temperaturave, megjithatë deri të mërkurën mos nxitoni të dilni nga shtëpia pa çadra, sepse moti jo stabil do të qëndrojë edhe për disa ditë në vendin tonë”, raporton gazetarja e Alsat, Evi Shkopi.
Era e fuqishme gjatë paradites së sotme ka shkaktuar edhe dëme, duke rrëmbyer një pjesë të kulmit të një objekti në Aerodrom, afër stacionit hekurudhor.
Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se pasditja do të jetë me shi të rrëmbyer veçanërisht në pjesën lindore Maqedonisë. Erë e fuqishme jugperëndimore do të përfshijë të gjithë territorin e vendit, pavarësisht temperaturave relativisht të larta, nga 11 deri në 20 gradë Celsius.
“Nesër do të kemi ulje të temperaturave. Do të vazhdojë moti me lagështi dhe i paqëndrueshëm, me reshje lokale të shiut. Veçanërisht në pjesët me lindore dhe më perëndimore të vendit, por me intensitet më të ulët. Erë të fuqishme jugperëndimore do të kemi edhe nesër. Për shkak të uljes së masës më të ftohtë ajrore gjatë natës, nesër në pjesët malore do të ketë reshje bore. Të hënën dhe të martën do të vazhdojnë reshjet lokale me intensitet më të dobët. Ndërsa stabilizim të motit do të kemi nga e mërkura kur do të ketë rritje të temperaturave, pra mot më të ngrohtë”, thotë meteorologja nga Enti Hidrometeorologjik
Moti i keq përfshiu edhe Shqipërinë, ku gjatë natës aksi rrugor Elbasan- Librazh u bllokua nga rënia e gurëve.
Gjatë 24 orëve të fundit Kukësi dhe disa qytete të tjera janë përfshirë nga reshje, ku një natë më parë reshjet e rrëmbyeshme sollën problematika në disa akse rrugor.
Në disa pjesë të Kroacisë dhe Sllovenisë pati edhe reshje bore./
Comments are closed for this post.